Rikthehet emisioni “Shtylla”, prodhim i KosovaPress

Nga sot, çdo të enjte, do të mund të ndiqni në kanalin e KosovaPress në YouTube emisionin “Shtylla”, i cili i dedikohet ekskluzivisht sektorit të Ekonomisë. Ky është një format më i zgjeruar, realizuar nga një ekip profesional, që do të sjellë një risi për të gjithë lexuesit dhe ndjekësit e KosovaPress. Përveç studios së re, që është një investim i rëndësishëm, ky emision është pasuruar edhe me rubrika të tjera.
Tematika kryesore e këtij episodi do të jetë rritja e çmimeve, një nga problemet më të mëdha të shoqërisë sonë, ku shporta e konsumatorëve vazhdon të shtrenjtohet. Në studio do të diskutohet për këtë temë me Naim Huruglicën, ish-drejtor i Doganës, tani në cilësinë e ekspertit të ekonomisë. Po ashtu, një storje suksesi do të prezantojë EuroMetalin, një kompani kosovare që ofron 20-30 vende pune me paga mbi 1200 euro. Një histori interesante vjen gjithashtu nga Kamenica, ku një gjermane po ndërton ëndrrën e saj në Kosovë.
“Shtylla” do të jetë emisioni që mund ta ndiqni çdo të enjte nga ora 20:00.
